Qendrimi juaj (mjeku stomatolog) ndaj institucioneve te tjera. Trego maredheniet reciproke.
Pavarësisht profilit, apo institucionit në të cilin punon një mjek stomatolog, publik apo privat, detyrimi i tij për respektimin dhe zbatimin e dispozitave të këtij kodi në ushtrimin e profesionit mbetet i pandryshuar.
1. Ushtrimi i profesionit i çfarëdo profili e në çdo institucion qoftë, publik a privat, është personal dhe i pavarur. Mjeku stomatolog është përgjegjës për vendimet dhe aktet mjekësore që kryen.
2. Në çdo institucion publik apo privat, ushtrimi i profesionit duhet të jetë objekt i një kontrate të shkruar, e cila të jetë në përshtatje me dispozitat e këtij Kodi dhe me natyrën e specifikat e institucionit përkatës. Një mjek stomatolog nuk duhet të nënshkruajë kontratë dhe të pranojë të punojë për një institucion, i cili e privon atë nga mundësitë për të përmbushur detyrimet e tij etike dhe deontologjike mjekësore.
3. Pavarësisht institucionit në të cilin punon një mjek stomatolog, publik apo privat, ai është i detyruar që përtej principeve dhe rregullave që parashikohen në dispozitat e këtij Kodi, të njohë ligjet, normat dhe rregullat administrative shtetërore dhe të institucionit ku punon, të cilat i përkasin fushës së ushtrimit të mjekësisë, detyrave dhe të drejtave të mjekut stomatolog në profesion.
4. Pavarësisht institucionit shëndetësor publik a privat në të cilin punon një mjek stomatolog, ai e ka për detyrë t’i përgjigjet çdo kërkese zyrtare, për t’u vënë në dispozicion dhe bashkëpunuar kur bëhen hetime, apo kërkohen informacione të ndryshme lidhur me të sëmurin e tij, apo çfarëdo çështje tjetër. Ai duhet të ndihmojë autoritetet e interesuara, të cilat detyrimisht duhet të jenë të përligjura zyrtarisht, duke iu përmbajtur dispozitave të këtij Kodi për respektimin dhe ruajtjen e sekretit profesional.
5. Është normë themelore e etikës mjekësore për çdo mjek stomatolog që, pavarësisht institucionit ku punon, të respektojë të drejtën e të sëmurit për të zgjedhur mjekun e tij stomatolog dhe kur rrethanat e bëjnë të mundur, për ta patur këtë mjek prezent në çdo proçedurë mjekësore të cilës i nënshtrohet ky i sëmurë.
6. Pavarësisht profilit profesional dhe institucionit ku ushtron mjeku stomatolog, në asnjë rast nuk duhet të pranojë të shprehet, bazuar në rendimentin e arritur në njësi kohe, apo çdo kusht tjetër, i cili do të kufizonte lirinë e tij për vendimmarrje klinike të pavarur dhe do të cënonte cilësinë e kujdesit shëndetësor.
7. Mjekut stomatolog nuk i lejohet përdorimi i publicitetit profesional personal apo në favor të institucionit publik apo privat në të cilin punon. Ai duhet të jetë i kujdesshëm, për të mos lejuar përdorimin e emrit të tij nga institucioni në të cilin punon për qëllime publicitare.
8. Pavarësisht institucionit publik apo privat në të cilin punon, si dhe pozicionit hierarkik apo social të cilit i përket, mjeku stomatolog është i detyruar t’i përgjigjet çdo kërkese nga Urdhri i Stomatologut, për t`u paraqitur për një proçes gjykimi disiplinor profesional, apo çfarëdo informacioni, a bashkëpunimi që i kërkohet nga ky organizëm.
Përgjigjja është teksti i dokumentit “Pyetje me shtjellim”, fjalë për fjalë. Termat e theksuar janë ata që aplikacioni të kërkon t’i kujtosh në ushtrime.