E drejta e pacientit per tu informuar (Konsenti i informuar). Thuaj qendrimin tend.
I sëmuri ka të drejtë të informohet për sëmundjen, ekzaminimet dhe mjekimet që i propozohen dhe rezultatet e tyre. Mjeku Stomatolog e ka për detyrë ta informojë të sëmurin në mënyrë të sinqertë dhe të kuptueshme, duke marrë parasysh në çdo rast personalitetin dhe gjendjen e tij psiqike. Nëse i sëmuri është nën 16 vjeç, apo i paaftë për të kuptuar gjendjen dhe mjekimin që i propozohet, informacioni i jepet familjarit më të afërt që e ka nën kujdestari. Nëse mjeku stomatolog gjykon, se duke informuar të sëmurin rrezikon të dëmtojë gjendjen e tij psiqike e shëndetësore, atëherë ai nuk është i detyruar ta informojë e as ta njohë me dokumentacionin mjekësor. Një diagnozë e rëndë dhe prognozë fatale mund të zbulohet me shumë maturi. Gjithsesi familjarët duhet të jenë të informuar dhe paralajmëruar, përveçse nëse vetë i sëmuri i ka përcaktuar më parë personat të cilët mund të informohen për gjendjen e tij. Është detyrim për çdo mjek, marrja e pëlqimit të të sëmurit përpara çdo ndërhyrjeje, ekzaminimi apo mjekimi të propozuar, pasi ta ketë informuar me hollësi dhe të jetë bindur se i sëmuri e ka kuptuar. Kur i sëmuri, në gjendje për të shprehur vullnetin e tij, refuzon ndërhyrjen e propozuar, mjeku stomatolog duhet të pranojë vullnetin e të sëmurit, pasi ta ketë informuar dhe bindur për pasojat e pritshme. Në qoftë se i sëmuri është nën 16 vjeç, ose i paaftë për të shprehur vullnetin e tij për të marrë vendime, mjeku stomatolog nuk mund të ndërhyjë pa njoftuar të afërmit e të sëmurit, apo personin përgjegjës legjitim, me përjashtim të rasteve urgjente, apo të pamundësisë për të kontaktuar këta persona. Informimi i të sëmurit dhe marrja e pëlqimit, apo refuzimi i tij shprehen me shkrim në dosjen klinike të të sëmurit dhe firmoset nga ai, apo personat legjitim që e kanë në kujdestari.
Përgjigjja është teksti i dokumentit “Pyetje me shtjellim”, fjalë për fjalë. Termat e theksuar janë ata që aplikacioni të kërkon t’i kujtosh në ushtrime.