Tregoni detyrimet dhe misionin e mjekut stomatolog.
Detyra themelore e çdo mjeku stomatolog, në shërbim të individit dhe të shëndetit publik, është mbrojtja e jetës, e shëndetit fizik e mendor të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve të tij. Në misionin e tij human, në respekt të jetës njerëzore, të individit dhe dinjitetit të tij, për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku stomatolog bazohet vetëm në shkencë dhe në ndërgjegjen e tij, duke i dhënë përparësi interesave të shëndetit të pacientit. Mjekut stomatolog nuk i lejohet të përdorë dijet e tij në kundërshtim me këto interesa.
Neni 5 – Ofrimi i kujdesit shëndetësor
Mjeku Stomatolog është i detyruar, në kohë paqeje dhe lufte, të ofrojë kujdesin shëndetësor dhe ndihmën mjekësore në përputhje me principet e mjekimit efektiv, të njëjtë për moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozitë shoqërore të gjithë, pa dallim etj, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e pacientit.
Neni 6 – Detyrimi për t’u angazhuar në rast lufte apo katastrofash
Në rast lufte, apo katastrofash natyrore mjeku stomatolog duhet të angazhohet menjëherë, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente për të ofruar ndihmën e tij.
Neni 7 – Respektimi i traditës
Mjeku Stomatolog duhet të respektojë dhe të mbrojë traditat më të vyera të profesionit mjekësor, duke praktikuar vazhdimisht standarde të larta profesionale dhe sjellje etike të përshtatshme ndaj të sëmurit, familjarëve dhe ndaj çdo personi tjetër, që i kërkon ndihmë.
Neni 8 – Kushtëzime të aktivitetit profesional
Mjekut Stomatolog, në asnjë rast nuk i lejohet të abuzojë me prioritetet dhe avantazhet që i krijon statusi i tij profesional ndaj të sëmurit, për qëllime përfitimi personal dhe profesional. Mjeku Stomatolog që kryen funksione administrative, apo i zgjedhur në poste publike, duhet të sigurojë transparencën më të lartë për gjithçka, që mund të duket si konflikt interesi. Ai e ka të ndaluar të shfrytëzojë funksionin dhe postin e tij, për të rritur klientelën, apo për përfitime të tjera personale të kundraligjshme.
Neni 9 – Ndihma në raste urgjente
Në prezencë të një të sëmuri, apo të dëmtuari në rrezik për jetën, ose kur i bëhet thirrje për një rast të tillë, mjeku stomatolog pavarësisht profilit profesional, e ka për detyrë të ndërhyjë në çdo vend e rrethanë për të dhënë ndihmën urgjente, duke asistuar deri në momentin që të sigurohet se ai po merr ndihmën mjekësore të kualifikuar.
Neni 10 – Mbi marrëdhëniet me kolegët dhe personelin
Mjekët Stomatologë e kanë për detyrë të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të ndershme me njëri tjetrin dhe me anëtarët e tjerë të personelit mjekësor, duke respektuar pavarësinë profesionale të secilit, në interes të të sëmurëve dhe ruajtjes së emrit të mirë të profesionit dhe të institucionit mjekësor.
Neni 11 – Mbi reputacionin profesional dhe figurën morale
Mjeku Stomatolog, madje edhe jashtë ushtrimit të profesionit duhet të ruajë të pastër figurën e tij morale, duke shmangur çdo akt që do të zhvlerësonte personalitetin dhe dinjitetin e tij njerëzor e profesional. Në çfarëdo rrethanë qoftë, ai nuk duhet të lejojë që emri i tij të përdoret për qëllime publicitare e fitimprurëse, ai duhet të ruhet nga vetëmburrja dhe fryrja e pa vend e famës së tij.
Neni 12 – Përdorimi i njohurive dhe pavarësia profesionale
Përdorimi i njohurive dhe ushtrimi i mjekësisë bazohet në parimin e lirisë dhe pavarësisë së profesionit. Mjeku Stomatolog duhet të përdorë njohuritë dhe të gjitha burimet e shkencës mjekësore për një mjekim efektiv, duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale. Ai duhet të marrë parasysh avantazhet, efektet e dëmshme dhe pasojat e mundshme të hulumtimeve dhe mjekimeve që përshkruan.
Neni 13 – Mbi edukimin dhe përditësimin e dijeve
Gjatë gjithë jetës aktive profesionale, mjeku stomatolog e ka për detyrë azhornimin me të rejat e shkencës, të ruajë dhe perfeksionojë dijet e tij. Në mënyrë të veçantë, mjeku stomatolog duhet të angazhohet sistematikisht në programet e edukimit mjekësor të vazhdueshëm, të organizuara dhe individuale, të cilat zhvillojnë kompetencën dhe rrisin aftësitë e tij profesionale. Mjeku Stomatolog ka për detyrë të marrë pjesë në vlerësimin e praktikës dhe performancës së tij profesionale.
Neni 14 – Vlerësimi i gjendjes së të sëmurit
Mjeku Stomatolog duhet të bëjë vlerësimin e drejtë të gjendjes së të sëmurit dhe të aplikojë në mënyrë të përshtatshme burimet e shkencës mjekësore, duke u bazuar në anamnezë, shenjat klinike dhe në ekzaminimet që ai i vlerëson të nevojshme dhe të domosdoshme.
Neni 15 – Tejkalimi i mundësive dhe kompetencave
Mjeku Stomatolog, me përjashtim të urgjencave dhe rrethanave të jashtëzakonshme, nuk duhet të marrë përsipër ndjekjen e të sëmurëve, as të formulojë përshkrime që i tejkalojnë mundësitë dhe kompetencat e tij profesionale. Ai duhet të kufizojë ushtrimin e tij esencialisht në specialitetin që i është njohur ligjërisht, si dhe në disiplinat që lidhen me të. Kur është e nevojshme, mjeku stomatolog e ka për detyrë të konsultohet me kolegët brenda, apo jashtë specialitetit të tij dhe të zbatojë vendimet e konsultës në mënyrë korrekte dhe me ndershmëri.
Neni 16 – Mësimdhënia dhe kontributi për edukimin e kolegëve
Mjekët Stomatologë e kanë për detyrë të kontribuojnë në edukimin dhe trajnimin e mjekëve stomatologë të tjerë. Në qoftë se është i ngarkuar me detyrën e mësimdhënies, duhet të punojë për të qënë një mësues kompetent dhe të sigurohet se kolegët e rinj, apo studentët përfitojnë dhe mbikqyren në mënyrë të përshtatshme.
Neni 17 – Mbi edukimin dhe promocionin e shëndetit
Në kuadrin e misionit dhe detyrimeve të tij profesionale, mjeku stomatolog e ka për detyrë të kontribuojë në veprimtaritë dhe programet për edukimin, promocionin e shëndetit dhe të ndihmojë publikun për të njohur e kuptuar çështjet shëndetësore.
Përgjigjja është teksti i dokumentit “Pyetje me shtjellim”, fjalë për fjalë. Termat e theksuar janë ata që aplikacioni të kërkon t’i kujtosh në ushtrime.